Narrativa që synon të krijojë frymën anti-NATO e anti-BE në Kosovë

Published on:

Një fotografi nga filmi “Fortress of war”, në të cilën shihet një vajzë e vogël afër nënës së vrarë, është shpërndarë në disa postime në Facebook dhe Twitter duke e lidhur atë me bombardimet e NATO-s në ish-Jugosllavi. Në postimet e bëra, rrejshëm raportohet se fotografia është bërë gjatë bombardimeve të NATO-s, raporton Kallxo.com, në hulumtimin e tyre të kryer për Qendrën Kundër Dizinformimit të Ballkanit Perëndimor, udhëhequr nga Fondacioni Metamorfozis.

Ndërsa, Misioni i Rusisë në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), përmes një fotografie të bërë në vitin 2003 në Irak e ka ilustruar sulmin e Aleancës Veri-Atlantike (NATO) në ish-Jugosllavi më 1999.

KALLXO.com në hulumtimin e kryer për Qendrën Kundër Dizinformimit të Ballkanit Perëndimor, udhëhequr nga Fondacioni Metamorfozis, ka gjetur se me mijëra materiale të tilla të cilat synojnë ta tregojnë NATO-n si agresore e ndërhyrjen e saj si kriminale gjenden në internet dhe vazhdojnë të publikohen e ripublikohen në rrjetet sociale. Vetëm në vitin e fundit në gjuhën serbe janë publikuar në vazhdimësi artikuj të cilët flasin për “krimet” e NATO-s në Serbi e Kosovë.

Artikujt, që kryesisht janë në gjuhën serbe, synojnë të influencojnë qytetarët serbë në Kosovë, të cilët informohen kryesisht nga mediat me bazë në Serbi.

Në gjuhën shqipe ka pak artikuj  të cilët nxisin narrative kundër antarsimit në  NATO. Kjo organizatë vazhdon të ketë imazhin pozitiv pas bombardimeve ndaj ish-Jugosllavisë në vitin 1999.

Por, në mediat në gjuhën shqipe dhe postimet e bëra në rrjetet sociale, kemi një rritje të postimeve kundër Bashkimit Europian, kryesisht që lidhen me zvarritjen e heqjes se vizave për Kosovën.

Përvec narrativës anti-BE dhe dhe disa shteteve që e kushtezuar liberalizimin e vizave, disa portale kanë publikuar rrena rreth raportimeve për integrim dhe liberalizim. Portali, lajme.buzz kishte publikuar një shkrim me titull:   BE-Ja Trondite Te Gjithe I’a Ben 8 Me 2 Albin Kurtit Mbron Serbine. Shkrimi ishte shpërndarë në Facebook me fyerje ndaj BE-së. Titulli i lajmit ishte i rremë, njëjtë qysh ishin edhe cilësimet e bëra në artikull. Lajmet nga faqja e internetit lajme.buzz janë publikuar në të paktën 10 faqe në Facebook, të cilat menaxhohen nga një person.

Që nga muaji korrik, nga të njëjtat faqe janë shpërndarë më shumë se 10 lajme të rreme, të cilat janë vlerësuar nga Krypometri.

E populluar nga 93% shqiptarë dhe 7 % komunitete të tjera, Kosova është në mesin e vendeve me narrativën më proevropiane në rajon. Matjet në terren kanë treguar se mbi 90% e qytetarëve kanë qasje pro-integrimeve euro-atlantike, ndërsa problemet e refuzimit shpërfaqen kryesisht te komuniteti serb. Te këta të fundit propaganda dhe e kaluara kanë krijuar një qasje tjetër ndaj integrimeve.

5% e popullsisë në Kosovë janë serbë, përfaqësuesit e të cilëve duhet të miratojnë secilën marrëveshje për integrimet e Kosovës në BE dhe NATO. Kosova ka një rregullim kushtetues sipas të cilit marrëveshjet e rëndësishme duhet të miratohen edhe nga 2/3 e deputetëve të pakicave.

Në këtë situatë grupi më lehtë i targetuar nga propaganda janë qytetarët serbë, përfaqësuesit e të cilëve në të ardhmen mund të pengojnë integrimet euro-atlantike të Kosovës.

Kërkimet në internet dhe filtrat automatikë tregojnë edhe synime për të ndikuar te grupet e tjera etnike në Kosovë.

Mungesa e liberalizimit të vizave dhe progresi i limituar në integrimet evropiane kanë shtuar propagandën në Ballkan, e cila synon t’i paraqesë si shumë të vështira proceset e integrimeve në këto mekanizma.

Mbi 120 postime janë regjistruar vetëm me titullin “Turqia vendos veton në NATO”. Ndërsa, kishte edhe lajme të tjera të rremë që lidhëshin me Turqin, sic ishte artikulli me titull:  Albin Kurti I’a Ben 8 Me 2 Erdogɑnit, Hɑllɑll I Qofte! Turqine E Kemi Mik Por Dialogun Do E Mbajme Ne Bruksel .

Narrativa e shpërfaqur në këta tituj synon të tregojë që anëtarësimet në këta mekanizma janë të pamundur për shkak të problemeve politike.

Në anën tjetër në disa media në gjuhën shqipe prodhohen lajme të rreme që kreyesisht synojnë shprëndarjen e dezinformatave rreth mundësisë që NATO të sulmojë prapë Serbinë.

Në korrik 2022, është publikuar një artikull me titull të rremë: Komandanti i KFOR-it me dekIaratë!: Kosovën nuk do ta Iëshojmë deri sa Serbia të pranoj Pavarësinë. Artikulli është publikuar në faqen e internetit lajme.icu. Artikulli ishte edituar më vonë, pasi i njëjti është vlerësuar si i rremë në Facebook.  Faqja e internetit lajme.icu ka publikuar disa lajme të rreme që nga muaji korrik dhe të njëjtat janë vlerësuar nga krypometri si postime të rreme.

Kishte edhe postime të tjera të rreme rreth NATO-së. Një i tillë është vlerësuar si postim i rremë dhe kishte titullin: Gjendja Në Ukrainë, Kryeministri Kurti I Jep ‘UItimatum’ NATO-S Dhe BE-Së: Bëjeni Anëtarësimin E Kosovës. Në kohën e fillimit të luftës në Ukrainë, ishin publikuar edhe artikuj të tjerë të rremë, sic ishte ai me titullin: Lajm i rremë për dy kushtet që Kosova duhet t’i plotësojë për anëtarësim në NATO.

Faqet e internetit kanë ripublikuar intervista të dhëna të vitin 2018, por duke i shtu elemente të rrejshme, sic ishte rasti me artikullin me titull: “Komandantí í K F O R d ríd h Serbët!: Kosova të pr a nohet ose ndryshe T rupat Ameríkan do i keni ballë gjith kohën!” Krypometri e kishte verifikuar se kreu i Zyrës Ndërlidhëse të NATO-s në Serbi, Cesare Marinelli nuk e ka thënë një gjë të tillë. Për më tepër, intervista burimore prej nga është fabrikuar ky lajm është publikuar në vitin 2018, 4 vite më parë.

Nga portale fiktive e burime të paverifikuara të informacionit në Kosovë shpërndahet narrativa se integrimi në BE është po ashtu i pamundur pasi 5 vende të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën.

Matjet dhe ekspertët paralajmërojnë se burokracitë e elitave evropiane, e paaftësia e shtetit të Kosovës për të konsoliduar shtetësinë e vet, ka bërë që ndikimi rus të gjëjë hapësirë në Kosovë, sidomos te popullsia e nacionalitet serb.

Në Kosovë aktualisht nuk ka të dhëna të sakta të nacionaliteteve që jetojnë pasi një pjesë e serbëve kishin refuzuar që të marrin pjesë në regjistrimin e bërë në vitin 2011.

Sipas regjistrimit të popullsisë të bërë në vitin 2011, në Kosovë 92.9% e popullësisë është shqiptare, 1.5% është serbe dhe 5.6% është ‘të tjerë’.

Në 20 vitet e fundit kishte shumë propagandë te serbët që jetojnë në Kosovë, kryesisht me narrativë anti-NATO dhe BE.

Organizata joqeveritare ‘Demokraci për Zhvillim’ (D4D), gjatë viteve 2021 dhe 2022 ka bërë monitorimin e portaleve online dhe rrjeteve sociale.

Allen Meta, hulumtues i lartë në këtë organizatë, thotë se në bazë të këtij monitorimi del që vendbanimet e banuara me serbë janë të atakuar nga lajmet e rrejshme me qëllim të propagandimit.

Ai ka thënë se propaganda kryesisht vjen nga portalet dhe mediat që bazën e kanë në Serbi, por ka raste kur lajmet e prodhuara nga “Russia Today” dhe “Sputnik” përfundojnë në mediat e Kosovës.

Meta thotë se lajmet e rreme që prodhohen në këto media të dyshimta në Serbi ka raste që përkthehen edhe në gjuhën shqipe.

“Në përgjithësi ka ndikim goxha të madh te qytetarët serbë” – thotë Meta.

Një lajm i tillë, pra i publikua fillimisht në mediat në Serbi dhe më pastaj i përkthyer dhe publikuar në KlanKosova me titull: Ambasadori amerikan në Serbi: Po bëjmë presion ndaj Prishtinës për aksionin, të merret përgjegjësi. Krypometri kishte gjetur se lajmi nuk e tregonte të vërtetën e plotë.

Krypometri kishte gjetur se nuk ishte publikuar fare një pjesë e deklarimit të Ambasadorit që ai nuk ka informacione për aksionin që ishte në zhvillim në kohën e përgjigjes. Përveç kësaj, ajo që është transmetuar si deklarim i ambasadorit për aksionin në veri Ambasadori në përgjigjen e tij fol për zhvillimet në përgjithësi. Madje, ai nuk ka thënë se Prishtina duhet të marrë përgjegjësi për aksionin e fundit. Kurse, duke folur për aksionin që ishte në zhvillim, Ambasadori kishte thënë se nuk kishte informacione. “Sa i përket incidentit që ka ndodhur sot ende nuk dimë mjaftueshëm për të për të bërë një gjykim.”

Ramadan Ilazi, hulumtues i lartë në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë se si pjesët e tjera të Evropës Lindore, Kosova po përjeton një reagim kundër ‘kushtëzimit perëndimor’.

Sipas Ilazit, një dozë edhe më e rëndë e kushtëzimit perëndimor i është imponuar Kosovës sesa vendeve të tjera, për shkak të procesit të saj të veçantë të shtetndërtimit.

“Reagimi i shfaqur kundër kushtëzimit perëndimor në Kosovë është formësuar nga zhgënjimi në rritje tek të rinjtë mbi legjitimitetin e dhënë elitave politike të korruptuara – por edhe nga fakti i përgjithshëm se konsensusi euroatlantik po dështon të sigurojë konsolidimin e shtetësisë së Kosovës jashtë vendit. Në këtë sfond, ekziston një ndjenjë në rritje në mesin e aktorëve lokalë për nevojën që kosovarët të marrin agjencinë e tyre”.

Kosova – Lindje apo Perëndim?

Dy narrativa dominojnë në Kosovë. Pro-perëndimore, me BE-në, NATO-n dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe anti perëndimore, me Rusinë dhe Kinën.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), një organizatë joqeveritare me bazë në Kosovë, ka kryer një hulumtim të opinionit publik, në lidhje me këndvështrimin e qytetarëve të Kosovës lidhur me integrimin evropian.

Nga matja e opinionit përmes një pyetësori, KDI ka gjetur se rreth 52% e të anketuarve konsiderojnë që BE-ja ka bërë shumë pak veprime për të nxitur rrugën e anëtarësimit të Kosovës në BE.

Një përqindje po ashtu e lartë, rreth 29 %, i vlerësojnë si mesatare përpjekjet e BE-së për të shtyrë përpara rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit, kurse vetëm 18% e respondentëve mendojnë që BE-ja ka bërë shumë për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të Kosovës.

Për Bekim Çollakun, ish-ministër i Integrimeve Evropiane, problemi thelbësor në relacionin Kosovë-BE është mosnjohja nga pesë shtetet anëtare.

Sipas tij, kjo ka pamundësuar që BE-ja të ketë unitet dhe ta trajtojë Kosovën si shtet dhe për pasojë Kosova është e fundit në rajon në ecjen drejt integrimit në BE.

“Për pasojë, rrugëtimi i Kosovës drejt BE-së është dhe mbetet tepër i vështirë”- ka thënë ai.

Diskriminimi i BE-së ndaj Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave është dëshmia më e mirë e qasjes së gabuar të BE-së karshi Kosovës.

“Të gjitha këto zhvillime sigurisht që e kanë zbehur besimin e qytetarëve të Kosovës në BE-në. Për rrjedhojë, kredibiliteti i BE-së ka degraduar në vazhdimësi. Mirëpo objektivi i Kosovës për anëtarësim në BE mbetet i pandryshuar” – thotë Çollaku.

Duke e marrë parasysh ndikimin e madh të mediave serbe te qytetarët serbë të Kosovës, si dhe relacionin e ‘zbehtë’ të Kosovës dhe BE-së, është krijuar hapësira që në Kosovë të ndërtohet narrativa anti-NATO dhe anti-BE.

Instituti Kosovar për Hulumtime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), në vitin 2020 ka monitoruar lajmet e publikuara që kishin të bënin me Kosovën nga një numër i mediave serbe dhe ruse, përfshirë edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse dhe Kremlinin.

Mediat e përzgjedhura serbe që janë monitoruar kanë qenë “Tanjug”, “Informer”, “Novosti”, “Kurir”, “B92”, “Politika” dhe “Naša Borba”, ndërsa mediat e përzgjedhura përkatëse me origjinë ruse ishin “Russia Today”, “Sputnik International”, “Sputnik Serbia”, “Meduza”, “Russia Insider”, “TASS”, “The Moscow Times”, “Newsfront”, “Unz”, “The Duran”, dhe “Pravda Report”, si dhe Ministria e Jashtme Ruse dhe Kremlini.

Sipas KIPRED, dekonstruktimi i lajmeve tregon se dezinformatat e mediave të përzgjedhura serbe synonin krijimin dhe forcimin e narrativave për lëkundjen e themelit të legalitetit të shtetësisë së Kosovës dhe që e mohojnë të drejtën e saj për ta ushtruar sovranitetin si shtet i pavarur.

Për më tepër, një dimension interesant i këtyre lajmeve që përmbajnë dezinformata, sipas KIPRED, janë përpjekjet për ndryshimin e narrativave për luftën e Kosovës, përmes mohimit të krimeve të luftës të kryera nga Beogradi në Kosovë, duke i paraqitur serbët si viktimat e vetme dhe NATO-n si një agresor që ka kryer krime të luftës. Kishte lajme që e fryjnë numrin e viktimave serbe në luftën në Kosovë apo e paraqesin luftën e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi si një luftë fetare, dhe UÇK-në si një formacion ushtarak islamist.

Udhëheqësi i këstij Instituti, Lulzim Peci, thotë se kjo narrativë që në thelb është anti-NATO dhe anti-BE, ka filluar shumë kohë më parë.

“Kjo narrativë anti-NATO dhe anti-BE ka qenë dhe ka ekzistuar që nga fillimi i krizës në ish-Jugosllavi. Do të thotë ka më tepër se 30 vite që këto narrativa janë të ndërtuara nga mediat e Beogradit, edhe si të tilla janë të ngulitura në kokat e gjeneratave të njerëzve atje” – ka thënë ai.

Këto narrativa anti-BE dhe anti-NATO, sipas tij, vazhdojnë edhe sot kur BE-ja është një prej investitorëve më të mëdhenj në Serbi, por po ashtu edhe SHBA është investitor i rëndësishëm.

“Këto investime nuk kanë luajtur fort rol në ndërrimin e këtyre narrativave” – thotë Peci.

Peci thotë se të njëjtat vështirësi janë edhe në Kosovë, pasi popullata serbe kryesisht informohet nga mediat me bazë në Serbi.

Ai këtë e mbështet me faktin që BE-ja dhe bashkësia ndërkombëtare ka investuar shumë në lokalitetet ku jetojnë serbët në Kosovë, mirëpo prapë qasja ndaj tyre ka mbetur e njëjtë.

Peci thotë se popullsia serbe në Kosovë është e ndikuar në masë të madhe edhe nga propaganda e Rusisë.

“Si percepsion, atë se çka e shohim në publik, qytetarët serbë në Kosovë janë më tepër pro-Rusisë” – shpjegon ai.

Për më tepër, ai thotë se me krijimin e Listës Serbe është penguar edhe liria e mendimit.

“Realisht një pluralizëm politik në mes të serbëve nuk ekziston në Kosovë, prej krjimit të Listës Serbe, edhe kjo e pengon që të shohim apo përceptojmë edhe më të vërtetë se çka ndjen popullata serbe këtu”- thotë ai.

Por, Peci problematik e sheh edhe diskursin në mesin e shqiptarëve të Kosovës.

“Mirëpo mund të themi, edhe në Kosovë kemi narrativa të tillë jo fort pro-perëndimore edhe në mediat tona, edhe nga eksponentë politikë e shoqërisë tonë, kështu që jemi në një situatë po e quaj post-historike, e cila jo vetëm ka të bëjë me qëndrim ndaj NATO-s dhe BE-së, por ka të bëjë me ndryshimin e narrativave, të asaj se çka ka ndodhur”.

Lajmet e rreme, metoda më e mirë për të krijuar narrativën e rrejshme

Lajmet me të cilat portalet dhe tabloidët serbë ushqejnë popullatën e nacionalitetit serb në Kosovë shpeshherë janë të shtrembëruara, devijuara dhe me fakte gjysmë të vërteta.

Kryesisht, tema e lajmeve të rreme kanë të bëjnë me nacionalizmin, narrativën anti-NATO, UÇK-në dhe në përgjithësi për shtetësinë e Kosovës.

Për shembull, mediumi ‘srbizasrbe’ me 24 mars të vitit 2018 në përvjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, ka publikuar një artikull në të cilin ndërhyrjen e NATO-s e quante ‘agresioni kriminal ndaj atdheut tonë’.

“Në vitin 1999, qytetërimi perëndimor tregoi se propaganda mediatike mund të vulosë një komb të tërë dhe ta vendosë viktimën e shënuar në rrezik vdekjeprurës. Bombardimi me uranium të varfëruar e bën veprimin kriminal edhe më të poshtër, sepse nuk mund të përcaktohet numri i saktë i viktimave. 19 vjet pas bombardimeve, ne lutemi për prehjen e shpirtrave të viktimave dhe vëzhgojmë se si historia po rishkruhet dhe se si agresioni ndaj popullit tonë vazhdon në forma të tjera” – thuhet në këtë artikull, i cili nuk është i bazuar në asnjë burim të saktë të informacionit.

Organizata joqeveritare në gjuhën serbe me bazë në Mitrovicën Veriore, Alternativa, thotë se kur flasim për media dhe informim të qytetarëve të kombësisë serbe në Kosovë, duhet bërë dallimi, sipas tyre, mes mediave të Beogradit dhe atyre në Kosovë.

Ana Marija Ivkovic nga kjo organizatë thotë se mediat kosovare në gjuhën serbe janë dukshëm më të kujdesshme në raportimin e tyre, sesa mediat e Beogradit.

“Narrativat anti-BE dhe NATO në masën më të madhe janë publikuar nga tabloidet dhe disa media pro-regjimit në Serbi. Ky lloj lajmi ka për qëllim manipulimin e publikut, përhapjen e frikës kur qeveria në Beograd duhet të marrë dhe zbatojë vendime jopopullore, kur duhet të rritet vlerësimi i partisë në pushtet (SNS)” – thotë Ivkovic.

Një shembull tjetër i propagandës së nacionalizmit serb është edhe te mediumi ‘Beograd.in’, i cili më 19 maj 2020 publikonte një artikull, në të cilin flitej për ndërhyrjen e NATO-s. I njëjti artikull është ri-shpërndarë në rrjetet sociale edhe në vitin 2022. Në këtë artikull flisnin tre ish-ushtarakë për ‘agresionin e NATO-s dhe betejën e Koshares dhe të Pashtrikut’.

Në artikull thuhet se deri në vitin 2012 këto ishin tema të ndaluara dhe se ‘Aleksandar Vuçiq ishte i pari që foli për agresionin dhe bombardimin e vendit dhe i quajti ato ngjarje me emrin e duhur’.

Pra tre ish-ushtarakë serbë propagandonin me narrativën anti-NATO, duke përdorur nacionalizmin. I njëjti medium kishte publikuar një lajm të rremë, duke shtrembëruar deklarimin që kishte bërë një ish-ushtar i UÇK-së.

Në anën tjetër, Albana Rexha nga organizata joqeveritare “Democracy Plus”, thotë se në bazë të sondazheve të fundit që ka nxjerrë zyra e NDI në Kosovë, serbët e Kosovës kanë mendime pozitive ndaj Rusisë dhe Kinës, për dallim nga shqiptarët të cilët kanë mendime pozitive pro SHBA, NATO dhe BE, si dhe kundër Rusisë e Serbisë.

Sipas Rexhës, serbët e Kosovës të pyetur nëse do të votonin pro anëtarësimit në BE dhe NATO, shumica e tyre janë përgjigjur negativisht për dallim nga shqiptarët të cilët i janë përgjigjur pozitivisht.

“Këto qëndrime pasqyrojnë ndikimin e vazhdueshëm keqdashës nga akterë të jashtëm siç është Rusia, Kina apo Serbia përmes portaleve të ndryshme online që shpërndajnë dezinformata të ndryshme me qëllim që të mbajnë këto qëndrime negative ndaj fuqive perëndimore nga njëra anë, e në anën tejtër që të forcojnë qëndrimet pozitive ndaj Kines dhe kryesisht ndaj politikave të Rusisë”– thotë Rexha.

E sipas Allen Metës nga D4D, nga diskutimet që ka pasur kjo organizatë me qytetarët serbë dhe me OJQ serbe, kanë vërejtur se ata ndikohen nga lajmet që kanë pasur çrregullim të informacionit.

“Ne e kemi vërejtur që edhe në pyetje, por edhe në përgjigje të qytetarëve serbë është kjo narrativë që është e krijuar prej portaleve serbe kundër NATO-s dhe BE-së dhe gjatë gjithë kohës ti e sheh se si qytetarët serbë në përgjithësi, i referohen edhe bazohen në njëfarë mënyre te këto narrativa të krijuara dhe janë tërë kohës kundër NATO-s, kundër BE-së” – thotë Meta.

Kjo nuk është si rrjedhojë vetëm te qytetarët serbë të Kosovës, pasi ai thotë se të njëjtën narrativë e ka parë edhe gjatë diskutimeve të ndryshme që kishte në Beograd.

Mungesa e hetimeve

Kosova është në një dilemë për të përcaktuar se cilat instanca duhet të trajtojnë problemet që sjellin lajmet e rreme.

Për një kohë të gjatë insitucionet e Kosovës nuk kishin vizion strategjik për t’u marrë me këtë problematikë. Si rrjedhojë në institucionet e vendit nuk ka mekanizma të cilat analizojnë dhe sfidojnë lajmet dhe propagandat e rrejshme.

Strategjia kundër terorrizmit në Kosovë kishte paraparë hartimin e një plani strategjik i cili kundërshton narrativat e rrejshme. Ky dokument ende nuk është hartuar nga implementuesit e strategjisë.

Një dokument tjetër i cili është në pritje të miratimit është Strategjia kombëtare kundër krimeve kibernetike. Edhe ky dokument është në fazën e draftimit dhe në të parashihet të zhvillohen aktivitete për të parandaluar shpërndarjen e informacioneve të rreme.

Ngjashëm në këtë temë synon të zhvillojë aktivitete edhe Strategjia kombëtare e sigurisë, mirëpo e njëjta është miratuar vetëm para pak ditësh.

Në sfidat më të rëndësishme janë mungesa e hetimeve për burimet e financimit të portaleve fiktive.

Një pjesë e faqeve që influencojnë Kosovën nuk janë të regjistruara në Kosovë. Disa prej lajmeve të rreme që janë detektuar nga KRYPOMETRI janë bërë nga faqet që janë të regjistruara në Maqedoninë e Veriut. Postimi i lajmeve nga këto faqe bëhet kryesisht për Kosovën.

Ndërkohë, janë edhe shumë portale e faqe në Facebook që gjenerojnë të hyra, por që nuk janë fare të regjistruara si biznese siç kërkohet me ligj.

Adminstrata Tatimore e Kosovës ende nuk ka kapacitete për të zbuluar dhe ndjekur këto portale fiktive, që nuk kanë adresë dhe nuk janë të regjistruara si biznese edhe pse ato arrijnë të gjenerojnë të hyra nga aktiviteti i tyre.

Por, ATK-ja dhe institucionet e tjera nuk kanë bërë ndonjë hetim dhe publikim se prej nga financohen mediat online. Reklamat nga jashtë të hyrat nga rrjetet sociale apo nga ADD-s nuk gjurmohen dhe tatohen nga kjo Admisnitratë.

Të dhëna të tjera tregojnë që pagesa “cash” në Kosovë është e lartë. Një studim i bërë nga një projekt i Komisioni Evropian thoshte së shkalla e ekonomisë në të zezë në Kosovë është rreth 30% e GDP-së.

Ndërsa, një studim i publikuar në vitin 2020 nga Global Initiative thotë se në Kosovë në masë të madhe bëhet pastrimi i parave, kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë, tregtisë me pakicë dhe shërbimeve si “call center” apo taksive.

Kallxo.com

 

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari